Subscribe

Kjo e martë është dita kur Shqipëria ka shënuar numrin më të lartë të rasteve të reja me koronavirus që nga marsi.

Rovena Daja nga Ministria e Shëndetësisë tha se në 24 orët e fundit janë gjetur 140 të infektuar, midis 603 të testuarve.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 72 raste në Tiranë, 14 në Kavajë, 12 në Fier, 10 në Kamëz, 6 në Kukës, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Mirditë, nga 2 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Tepelenë, Bulqizë, nga 1 rast në Durrës, Lezhë, Lushnje, Vlorë. ”

Krahasuar me një ditë më parë, ka një rritje edhe të numrit të viktimave. Të hënën pati vetëm një të vdekur, ndërsa sot pesë. Dy prej tyre, që janë edhe më të rinj në moshë, nuk kishin sëmundje të tjera.

“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46 vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera, një 48 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 70 vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81 vjeçar dhe një 84 vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese.”

Edhe numri i të shëruarve ishte i lartë këtë të martë. 101 persona kanë fituar betejën me koronavirusin gjatë 24 orëve të fundit.

Shqipëria gjithsej ka 6.676 të infektuar, 205 të vdekur dhe 3.480 të shëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *