Nga Ervin Sina
108 çiklistë që përfaqësojnë 23 ekipen nga e gjithë bota janë grumbulluar në Shqipëri në pritje të garës së parë mesditën e së premtes e cila do të ketë itinerarin Durrës-Tiranë me kalim nga Rrogozhina, Papër, Bradashesh dhe finish në Tiranë.
Stafet e ekipeve, organizatorët dhe mediat janë të gjitha të fokusuara në “Pallatin e Kongreseve” në kryeqytet, në axhendën përgatitore të nisjes së këtij edicioni të xhiros së Italisë.
Mjaftojnë pak minuta aty dhe kupton përmasat gjigante të këtij organizimi, unik për vendin tonë edhe për marketingun e jashtëzakonshëm sportiv dhe turistik të Shqipërisë. Tre xhirot e para Durrës-Tiranë, kronometri në kryeqytet dhe pastaj etapa e tretë panoramike e Rivierës sonë të jugut, janë mundësi unike për të shpërfaqur para publikut të shumtë botëror dhe potencialin tonë si vend.
Sa i takon aspektit sportiv vlen të theksohet se kjo është hera e 15 që xhiro e Italisë përfshin edhe vende të tjera jashtë Italisë.
Etapa e pare nis në 13:10 në Durrës, është e gjatë 160 km dhe përfundon në Tiranë pas orës 17:00 me kalim nga Rrogozhina dhe Elbasani.
Më pas të shtunën në datë 10 maj, etapa e dytë, kronometër me gjatësi 13.7 km zhvillohet në Tiranë, ndërsa e treta të dielen më 11 maj zhvillohet në Vlorë, një rrugëtim i bukur që nis nga qyteti vijon me rrugën e Bregut të Lumit për të shkuar në Qeparo dhe më tej kthimi bëhet nga Qafa e Llogarasë me finish sërish në Vlorë. Në Itali më pas do të zhvillohen 18 etapat e tjera, dhe fituesi do të kurorëzohet në Romë më 1 qershor.
Tërheqja nga turneu e sllovenit Tadej Pogacar që fitoi Xhiron e Italisë në 2024, ka kthyer në favorit bashkatdhetarin e tij Primoz Roglic i cili triumfoi në 2023.
Mungon gjithashtu edhe danezi Vingegard i cili kërkon të fitojë turin e Francës për herë të tretë radhazi, por befasia mund të jetë spanjolli Huanajuso./vizionplus.tv