Subscribe

Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, që parashikon ndarjen e vendit në 4 rajone.

Sipas kreut të shtetit, ky ligj, me përmbajtjen e miratuar, nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Ligji i miratuar në Kuvend me votat e mazhorancës, thotë Meta bie hapur ndesh me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe me ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.Një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave përcaktohen sipas nenit 4, nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta nuk e njeh.

Meta e konsideron ndarjen e re të Shqiperisë në 4 rajone, antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë. Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushteteuse dhe ato në Kodin  Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike.Miratimi i ligjit nr. 102/2020, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta, çka tregon qartë se qëllimi i këtij ligji është në kundërshtim me rendin shoqëror demokratik në Republikën e Shqipërisë dhe krejtësisht i panevojshëm për realitetin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *