Subscribe

Shqipëria dorëzoi aplikimin zyrtar për t’u anëtarësuar në Zonën Unike të Pagesave në Euro, e njohur ndryshe si SEPA, një skemë që harmonizon pagesat elektronike në euro ndërmjet vendeve anëtare.

“Banka e Shqipërisë ka udhëhequr procesin e aplikimit dhe e ka dorëzuar atë në Këshillin Evropian të Pagesave në emër të komunitetit financiar shqiptar. Vlen të theksohet se legjislacioni shqiptar, bazuar në punën e vazhdueshme disavjeçare drejt integrimit evropian, përmbush në mënyrë të kënaqshme kriteret për anëtarësimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA. Procesi i aplikimit në SEPA ka pasur mbështetjen dhe asistencën teknike të vazhdueshme të Bankës Botërore, i cili është një partner afatgjatë dhe i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë në fushën e sistemeve të pagesave. Kontributi dhe mbështetja ndër vite e Bankës Botërore ka krijuar bazat e shëndosha që Shqipëria të jetë pararojë në këtë proces”, tha Sejko.

Hyrja e vendit tonë në SEPA do të ulte kostot e transfertave ndërkombëtare, duke i bërë pagesat ndërkufitare midis vendeve anëtare në të po aq të thjeshta dhe të lira sa pagesat brenda vendit.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian të vendit, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian. Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte”, u shpreh ai.

Banka e Shqipërisë pret që me anëtarësimin në SEPA të formalizohet fluksi i remitancave dhe që ekonomia shqiptare të përfitojë qindra milionë euro. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *