Shqipëria firmosi sot një marrëveshje të rëndësishme strategjike me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e kabllove nënujore të transmetimit të energjisë elektrike, e cila do të prodhohet në vendin tonë.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, gjatë fjalës hapëse në Samitin e “Javës së Qëndrueshme” në Abu Dhabi.
Për të diskutuar më shumë rreth marrëveshjes për energjinë, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus, me moderimin e Aleksandër Furxhit, ishte ish-zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.
Z.Bejtja tha se kjo marrëveshje do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve prodhuese në vend, sidomos atyre bazuar në energjinë e rinovueshme, si dhe eksportit të tyre.
Ish zv.ministri shtoi se ky është i pari kabull nënujor që e lidh Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian, konkretisht me jugun e Italisë.
Intervista e plotë:
Përse është i rëndësishëm ky projekt, përtej faktit që këtu flasim për 1.4 miliardë euro?
Bejtja: Nga ana energjetike, është një korridor i ri për shkëmbimin e energjisë me tregun evropian, konkretisht me Italinë. Jemi përpjekur disa herë dhe deri më tani nuk e kishim gjetur gjuhën për të vendosur këtë kabull nënujor, pavarësisht kapacitetit, që është diçka teknike dhe vlerësimin do ta bëjnë ekspertët në vijim. Kjo do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve prodhuese në vend, sidomos atyre bazuar në energjinë e rinovueshme, dhe eksportit të tyre. Deri tani kemi vetëm rrugë tokësore me vendet e rajonit, siç kemi me Greqinë (455 dhe 154 kilovat), me Maqedoninë e Veriut (në përfundim 400 kilovat), me Kosovën (400 kilovat), me Malin e Zi (400 kilovat) dhe disa linja të tjera që janë në nivele 110 dhe 220 kilovat. Ky është i pari kabull nënujor që e lidh Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian, konkretisht me jugun e Italisë. Është një gjë e mirë sepse është një marrëveshje ndërshtetërore e firmosur, ka të garantuar financuesin që do të jetë pjesë e projektit dhe zhvillimit të tij. Është një projekt që do të kërkojë kohën e vet për t’u maturuar; besoj 7-10 vjet. Ambicia e qeverisë mund të jetë që të avancojë më shpejt me projekte.
Në këtë fazë që jemi, a dihet diçka më shumë? Flitet për dy aspekte: për prodhimin e energjisë së pastër në Shqipëri dhe transmetimin drejt Evropës?
Bejtja: Kapacitetet tona transmetuese të energjisë janë të kufizuara. Tregu shqiptar është një treg i vogël dhe i kufizuar, i bashkuar në formë të integruar vetëm me tregun e Kosovës. Pasja e një tregu më të gjerë, siç është tregu evropian, nëpërmjet kalimit me Italinë dhe me Greqinë (që sot e kemi), bën të mundur që ne të shfrytëzojmë të gjitha resurset tona të burimeve të rinovueshme për prodhimin e energjisë nga dielli, era dhe burime të tjera. Kemi edhe një masterplan i cili parashikon që të ndërtojmë deri në 1 gigavat fuqi të instaluar termocentrale bazuar në gaz natyror, sepse kemi gaz në Shqipëri. Kapacitetet e tij priten të dyfishohen, pra të shkojnë deri në 20 miliardë metra kub gaz, çka tregon se mundësitë tona për të zhvilluar akoma më shumë burimet energjetike dhe për të qenë konkurrues me çmimet dhe me sasinë në tregun rajonal dhe atë evropian janë tashmë një realitet. Ky realitet nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka burime transmetimi ndërkombëtare të energjisë. /vizionplus.tv





