Subscribe

Ndërtimi i pjesës Lindore të Unazës së Madhe në kryeqytet ka vijuar edhe këto muaj të verës. Autoritetet e quajtën ecurinë e investimit si të kënaqshëm, duke pranuar se i vetmi problem lidhet me shpronësimet.

 

 “Ecuria e punimeve në këtë pjesë të kantierit në Unazën Lindore të Jashtme të Tiranës është e kënaqshme. Gjatë periudhës së fundit, sidomos të verës, kompania ka punuar me cilësi edhe me ritëm të lartë të punimeve. Edhe pse kemi pasur problematikat e shpronësimit në disa pika kryesore të projektit ka vazhduar puna në pjesë të tjera të cilat janë të lira dhe front pune. Ndërkohë ARRSH-ja është duke punuar për të realizuar edhe marrjen e vendimit të qeverisë për shpronësimin e të gjithë këtyre banorëve”.

 

Por ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku premtoi se brenda tetorit do të ketë zgjidhje te çështjes së shpronësimeve.

 

“Besoj që brenda muajit tetor do t’i jepet një zgjidhje e mirëfilltë të gjitha proceseve të shpronësimeve që ne kemi dhe atyre që do të vijnë pasi siç e dimë, të gjitha projektet e reja që ne hapim kanë gjithmonë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme që ka të bëjë me shpronësimet si nga ana e buxhetit ashtu edhe nga ana e procedurave legale që krijojnë vonesa. Por ne tashmë kemi nisur një proces brenda qeverisë me disa nga aktorët dhe ministritë e përfshira për t’a zgjidhur këtë problem një herë e mirë dhe afatgjatë, kështu që kjo është shumë e rëndësishme”.

 

Projekti i unazës lindore parashikon edhe hapësira të gjelbra për qytetarët, trotuare, sistemimin e shtratit të Lanës si dhe ndërtimin e 5 vepra të artit.

 

Për pjesën veriore të unazës së madhe të Tiranës nuk dihet ende se kur do të fillojnë punimet, ndërkohë që në segmentin e unazës së re gjithçka është ndërprerë pas zbulimit të skandalit të kompanisë DH Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *