Subscribe

Partia Socialiste është ajo që kryeson listën e shpenzimeve të bëra për fushatën elektorale të parlamentareve të 25 Prilli. Me një diferencë të thellë ndaj kundërshtares së saj kryesore, Partisë Demokratike, socialistët kanë hedhur mbi 172 milionë lekë që u konvertuan në 74 mandate deputetësh.

Nga raporti financiar i dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se shuma më e madhe e parave është harxhuar nga vetë partia në vlerën e mbi 133 milionë lekëve dhe disa herë më pak nga vetë kandidatët për deputetë.
Tre herë më pak se socialistët kanë shpenzuar demokratët. Mbi 47 milionë lekë për fushatën e tyre elektorale që nga zgjedhjet e Prillit nxori 59 deputetë.

Edhe në selinë blu, pjesën e luanit të parave të shpenzuara e mban partia. Nga krahasimi i lekëve të hedhura për fushatë nga kandidatët për deputetë nga të dyja forcat kryesore politike, rezulton se ata socialistë kanë shpenzuar disa herë më shumë.
Thuajse në të njëjtën shifër me demokratët është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Fushata elektorale që në fund nxori katër deputetë i kushtoi LSI-së mbi 43 milionë lekë.

Në raportet financiare secila parti apo kandidat i pavarur që garoi në parlamentaret e Prillit deklaron çdo të ardhur e shpenzim të kryer. Mes të dhënave është edhe shuma në total që socialistët dhe demokratët paguan për tu këshilluar nga kompani, kryesisht të huaja.
Diferenca mes PS dhe PD në këtë rast nuk është në favor të demokratëve. Ata janë treguar më dorëlëshuar. Dy kompanive që i këshilluan për fushatën elektorale, u dhanë mbi 8 milionë lekë, ndërsa socialistët kontraktuan vetëm një që e paguan 7 milionë.

Kur ende afati i dorëzimit nuk ka skaduar mes partive të mbetura është edhe ajo Social-Demokrate e Tom Doshit, që në parlament përfaqësohet me tre deputetë, një më pak se LSI.

Me deklarimin e të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, grupi i audituesve në KQZ nis verifikimin e të dhënave dhe në fund del me një raport nëse janë gjetur pasaktësi apo deklarime të rreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *