Presidenti Ilir Meta ka dënuar me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, duke sjellë rastin e fundit të shoqërimit të gazetarit Elvis Hila, i cili po raportonte aksionin e IKMT në Shëngjin. Sipas Metës, shoqërimi i Hilës është kryer pa asnjë shkak të justifikuar ligjor.


Përmes një posimi në “Facebook”, kreu i shtetit ka shprehur solidaritetin me Hilën dhe ka inkurajuar të gjithë gazetarët që të shërbejnë me kurajo e profesionalizëm.

“Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin. Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.”

Meta bëri thirrje për zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin e autorëve të këtij akti, si dhe “të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *