Maqedonia e Veriut mbetet optimiste se do të gjendet një zgjidhje me Bullgarinë për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas vizitës në Bruksel, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se pret një marrëveshje që do të ketë në fokus vlerat evropiane.

 

DIMITAR KOVACEVSKI

KRYEMINISTËR, MV

 

“Ajo që diskutuam edhe me udhëheqësin e Bullgarisë është se zgjidhja e çështjeve mes dy vendeve duhet të jetë në frymën e vlerave evropiane, respektit të ndërsjellë dhe ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve në të dyja vendet. Unë them se kemi nevojë për një zgjidhje të shpejtë, duke qenë se ne meritojmë hapjen e negociatave me BE-në. Tani kemi krijuar grupet e posaçme në të gjitha fushat edhe presim që kjo të arrihet në një kohë të shkurtër.”

 

Duke u ndalur tek Open Balkan, ku vendet pjesëmarrëse janë Shqipëria, Serbia edhe Maqedonia e Veriut, Kovaçevski sqaroi se kjo nismë nuk duhet parë si një alternativë e Bashkimit Evropian.

 

“Open Balkan është një nismë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e cila është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk është në asnjë mënyrë një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, megjithatë, ai bazohet në të njëjtat parime për lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve ndërmjet të tre vendeve. Tashmë ka rezultate të dukshme që mund të ndjehen nga të gjitha kompanitë që bashkëpunojnë mes tre vendeve.”

 

Bullgaria ka bllokuar shkupin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas mosmarrëveshjeve që kanë për identitetin , gjuhën dhe historinë. Vetoja e Sofjes ka penalizuar edhe Shqipërinë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *