Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE dorëzoi të enjten një propozim-rezolutë në Parlament lidhur me çështjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me të cilën kërkon një konsensus të brendshëm në bisedimet dypalëshe për dhënien fund të ngërçit që po mban të bllokuar rrugën e integrimit evropian të fqinjit më të vogël.

43 deputetë opozitarë e firmosën rezolutën me emrin e ri të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, të cilin e kanë mohuar deri tani.

Rezoluta e cilësuar edhe si vijat e kuqe kundrejt çështjeve kombëtare (maqedonase), duket se po ndan partitë mbi baza etnike; të gjitha partitë maqedonase janë shprehur se do ta mbështesin atë, ndërkohë që partitë shqiptare kërkojnë të sigurohen se rezoluta nuk do të dëmtojë interesat integruese të vendit apo edhe raportet me Bullgarinë fqinje.

Rezoluta e bashkërenduar me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë së Veriut synon që bisedimet midis dy vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth historisë të zhvillohen në bazë të barabartë dhe parimore duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, pa kurrfarë kushtëzimesh nga asnjëra prej palëve dhe duke respektuar dinjitetin e popullit maqedonas.

“Të respektohen, thuhet më tej, gjetjet shoqërore, humaniste dhe kulturologjike shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë e tij historike, gjuhësore, kulturore dhe fetare”; Po ashtu, kërkohet të theksohen gjuha dhe identiteti maqedonas si konfirmim i hulumtuar shkencor dhe tradicional.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani është shprehur se partitë politike duhet të arrijnë një konsensus lidhur me këtë, duke kundërshtuar imponimin e një rezolute të tillë nga një parti. “Kam frikë se me një rezolutë të këtillë nga një qëndrim shtetëror mund të kalojmë në një qëndrim etnik”, i ka thënë ministri Osmani medias në Shkup, duke nënvizuar se “edhe përkundër trysnive të opozitës, vendi nuk ka hyrë në një diskurs negativ me Bullgarinë dhe se para syve të botës është njohur drejtësia e palës maqedonase”.

VMRO DPMNE-ja, ndërkohë pas kësaj, ka sugjeruar që ministri i jashtëm Osmani të dorëhiqet, teksa drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski është shprehur se “Bashkimi Demokratik për Integrim një herë të vetme duhet ta mbështesë popullin shumicë maqedonas dhe bashkëqytetarët maqedonas në vend se të kujdeset për interesat e një vendi fqinj”.

Bisedimet bullgaro-maqedonase mbi gjuhën, historinë dhe kulturën e Maqedonisë së Veriut kanë ngecur dhe eventualisht mund të vazhdojnë pas formimit të institucioneve të reja në Sofje pas zgjedhjeve parlamentare të 11 korrikut.

Bullgaria e konteston gjuhën maqedonase, të cilën e llogaritë si dialekt të dalë nga bullgarishtja apo si gjuhë e koduar në vitin 1945 nga autoritetet jugosllave të kohës, ndërsa kërkon që Shkupi të heqë dorë nga kërkesat për një pakicë maqedonase në rajonin e Pirinit në Bullgari dhe të njohë historinë e identitetin e figurave kombëtare bullgare, për të cilat Maqedonia e Veriut pretendon se kanë identitet maqedonas./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *