Atacama Large Millimetre Array ose interferometri ALMA, i vendosur në shkretëtirën e Atacamas në Kilin verior, publikoi imazhe shumëngjyrshme të një mase të madhe pluhuri yjor të shndërritshëm, të një galaksie që daton që në periudhat kur universi ishte në fillimet e krijimit të tij dhe ishte në vetëm 4% të moshës së tij aktuale. Kjo galaksi u vëzhgua pak pas krijimit të saj dhe është më e largëta në të cilën është kapur pluhur ose oksigjen. Kjo gjithashtu mund të hedhë dritë në lindjen dhe vdekjet shpërthyese të yjeve të para.

 

vëzhgimi është kryer nga një skuadër ndërkombëtare astronomësh, nën udhëheqjen e Nicolas Laporte, të Universitetit të Kolegjit të Londrës. Skuadra e dalloi A2744_YD4 dhe më pas u surprizua kur zbuloi se galaksia e re përmbante sasi të mëdha pluhuri ndëryjor – pluhur i krijuar nga vdekja e një gjenerate të mëhershme të yjeve. Vëzhgime të mëtejshme konfirmuan distancën e madhe me këtë galaksi, e cila duket ashtu si kur universi ishte vetëm 600 milionë vjeçar, në kohën kur krijoheshin yjet dhe galaksitë e para.

 

Pluhuri kozmik është më së shumti i përbërë nga silikoni, karboni dhe alumini, në copëza aq të vogla sa një e milionta e një centimetri.
Elementët kimikë në këto copëza , krijohen brenda yjeve dhe shpërndahen përqark kozmosit kur yjet shuhen, në mënyrë më spektakolare në shpërthime supernova. ALMA ka prodhuar pamjet më të qarta ndonjëherë në gjatësi vale nënmilimetrike.

 

Teleksopi ndodhet në shkretëtirën e largët të Atacamas në Kilin verior, ku thatësira dhe lartësia sigurojnë disa nga kushtet më të mira në tokë për vëzhgimin e qiellit të natës. Operacionet e ALMA-s  udhëhiqen nga Observatori i Europës Jugore, Observatori Kombëtar Amerikan i Radio Astronomisë dhe Observatori Kombëtar Astronomik i Japonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *