Alfred Balla nuk do të drejtojë më qeverinë e prokurorëve. Nga sot, ai u përjashtua nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e tij. Verdikti i dhënë nga kryesuesja Ina Rama, Albana Shtylla relatore dhe Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo si anëtarë, bazohet në ankimimin e bërë nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa që kërkoi po të njëjtën gjë.
Përfundimisht trupi gjykues me shumicë votash vendosi:Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, tha Ina Rama.
Lexo edhe :
Related Posts
Kronologjia e Alfred Ballës në vetting zë fill jo për pozicionin si kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Ndonëse Balla nuk është magjistrat, ai do duhej t’u nënshtrohej filtrave të vetting-ut, pasi ligji e parashikon diçka të tillë.
Mirëpo, shkalla e parë e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi që ish- drejtuesin e lartë as të mos e heqë nga sistemi e as të mos e konfirmojë atë, duke ndërprerë kështu gjithë procesin ndaj tij. Vendimmarrjen, KPK e argumentoi me faktin se Alfred Balla u shkarkua nga posti i këshilltarit ligjor, ç’ka e bëri atë në një mënyrë “imun” nga filtri i vetting-ut.
Ndërprerja e marrëdhënieve të punës, në 2017, thotë KPK nënkupton se ai e humbi statusin e subjektit të rivlerësimit, jo për shkak të një dorëheqjeje të tij, por sepse u pushua prej saj. Kjo sipas Komisionit do të thotë se ai nuk iu shmang vetting-ut.
Ai nuk ka qëndruar në detyrë jo për “faj” të tij, por si pasojë e nxjerrjes së një akti për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës.
Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt të 2018- ës nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile. Ndërsa më 28 mars të 2022 ai u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar./vizionplus.tv