Një 35-vjeçar nga Lushnja, i cili shiste produkte bujqësore të skaduara në Fushë-Krujë është vënë në pranga.
Policia njofton se në kuadër të operacionit “Expiration”, i cili u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), u vu në pranga shtetasi E. D., banues në fshatin Krutje, Lushnje.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka shitur një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore për mbrojtjen e bimëve, të cilave iu ka shtyrë afatin e skadencës, me 1 vit më shumë se ai i miratuari nga Ministria e Bujqësisë.
Gjatë kontrollit të kryer në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së, në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë Krujë, u konstatua një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore, me afat përdorimi 2 vjet nga viti i prodhimit, të cilave ky shtetas iu kishte vendosur etiketa që përcaktonin afat përdorimi 3 vjet nga data e prodhimit.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, qindra etiketa me ngjitje, në të cilat ishte ndryshuar afati për përdorimin e produkteve bujqësore.





