Subscribe

Shekspiri rikthehet sërish në Teatrin Eksperimental, por këtë herë me një komedi. “Shumë zhurmë për asgjë” duket se vjen pikërisht në momentin kur për teatrin bëhet shumë zhurmë. Por, përtej kësaj drejtori, regjisori e aktorët duan vetëm të përqendrohen në premierën e kësaj komedie.

 

Për regjisorin italian, Karlo Shakaluga kjo është një vepër që thërret lirinë e mendimit dhe tregon qartë që një femër ka nevojë për mashkullin po aq sa një burrë ka nevojë për një grua.

 

“Në skenë do të shihni në konfrontim të vërtetë mes meshkujve dhe femrave, një debat i madh për lirinë e gruas, një dramë të shoqërisë me shumë ritëm, por që ka një fund të lumtur. Ndryshe nga tragjeditë e tjera të Shekspirit kjo flet me gjuhën e komedisë e na jep një mesazh të qartë, se nëpërmjet komunikimit arrihet gjithçka, në këtë pjesë edhe liria, ajo e mendimit, liria për të thënë shumëçka.”

 

Nën regjinë e Carlo Shakalugës që mbërrin për herë të dytë në Teatrin Eksperimental, në komedinë “Shumë zhurmë për asgjë”, aktorët edhe do të kërcejnë. Edhe pse një sfidë e vështirë për disa, aktorët duket se ia kanë dalë.

 

 

Kjo shfaqje ishte parashikuar të çelte sezonin artistik në fund të shtatorit, por për shkak të koreografisë dhe lëvizjeve në skenë Çeloaliaj u dëmtua. E kjo kohë, duket se ka mjaftuar për t’u përgatitur edhe më mirë trupa. Aktorët premtojnë të përcjellin këtë fundjavë në Teatrin Eksperimental komedi të realizuar artistikisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *