Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, e ka akuzuar sërish Ministrinë ruse të Mbrojtjes për mosfurnizim të mercenarëve të tij me municione të mjaftueshme, dhe i ka akuzuar trupat ruse se janë duke ikur nga qyteti ukrainas, Bahmut.

 

Komentet e Prigozhinit përbëjnë kritikat e fundit të tij ndaj zyrtarëve ushtarakë rusë.

 

Javën e kaluar, ai ka kërcënuar me tërheqje të forcave të Wagnerit nga rajoni i Bahmutit, ku ushtarët kanë luajtur rol kyç në luftimet që janë duke u zhvilluar për të marrë kontrollin e qytetit.

 

Ai i ka bërë disa postime, para dhe pasi Kremlini e ka shënuar paradën vjetore ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës, për të shënuar fitoren ndaj Gjermanisë Naziste, në Luftën e Dytë Botërore.

 

“Në vend të luftës, ne po përballemi vazhdimisht me intriga. Ne e kemi një Ministri të Intrigës, në vend të Ministrisë së Mbrojtjes, prandaj ushtarët tani po ikin”, ka thënë ai.

 

“Po ikin, sepse brigada e 72-të sot i ka humbur tri kilometra, dhe unë i kam humbur 500 njerëz, për shkak të pikës strategjike”, ka thënë ai.

Sipas tij, ushtarët rusë janë duke ikur, për shkak të “budallallëkut” të komandantëve rusë, që janë duke dhënë “urdhra kriminalë”.

 

“Ushtarët nuk duhet të vdesin për shkak të budallallëkut absolut në udhëheqësi”, ka thënë ai.

 

Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar komentet e tij.

 

As, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka komentuar këto deklarata.

 

Sipas Perëndimit, Rusia është përballur me mbi 200.000 viktima prej nisjes së luftës në Ukrainë, 14 muaj më parë.

 

Sipas zyrtarëve perëndimorë, Rusia vazhdon të humbë dhjetëra luftëtarë çdo ditë në Bahmut.

 

Forcat ruse e kanë rrethuar Bahmutin prej verës së kaluar, dhe tani besohet se kontrollojnë 75 për qind të qytetit.

 

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *