Nga kjo e diel, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Traktati për Qiej të Hapur, një marrëveshje 18-vjeçare që lejon vendet të vëzhgojnë ushtritë e njëri-tjetrit.

 

6 muaj më parë, presidenti Donald Trump bëri të ditur vendimin duke akuzuar Rusinë për shkeljen e disa prej dispozitave të marrëveshjes.

 

Kjo konsiderohet si goditja e radhës për sistemin ndërkombëtar të kontrollit të armëve, të cilin presidenti amerikan vazhdimisht e ka sulmuar me akuzat se Uashingtoni padrejtësisht po kufizohej në kapacitetet e tij ushtarake.

 

Ministria e Jashtme ruse e ka dënuar vendimin.

 

“Uashingtoni ka bërë lëvizjen e tij. As siguria evropiane, por as siguria e SHBA dhe aleatëve të saj, nuk do të përfitojnë nga ky veprim. Tani, shumë vende në Perëndim do të presin se cili do të jetë reagimi i Rusisë. Përgjigja është e thjeshtë. Vazhdimisht e kemi theksuar se për ne të gjitha opsionet janë të hapura”.

 

Traktati për Qiejt e Hapur u nënshkrua në mars të vitit 1992 në Helsinki nga 23 kombet anëtare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Tani ka 33 anëtarë, dhe hyri në fuqi në vitin 2002.

 

Marrëveshja lejon shtetet që të kryejnë fluturime vëzhguese, të paarmatosura në territoret e vendeve anëtare, për të mbledhur të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *