Subscribe

Departamenti i Shtetit Amerikan ka përgëzuar qeverinw shqiptare për dëbimin e dy diplomatëve iranianë në Tiranë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike, për të komplotuar sulme terroriste në Evropë e më gjërë.

 

MORGAN ORTAGUS

 

ZËDHËNËSE E DEPARTAMENTIT TË SHTETIT AMERIKAN

 

Ne përgëzojmë vendimin e qeverisë shqiptare për të dëbuar dy të ashtuquajtur diplomatë iranianë. Regjimi i Iranit vazhdon të përdorë mjetet e tij diplomatike në Europë dhe vende të tjera, si maskim për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe përgjuar iranianët që jetojnë jashtë vendit të tyre.

 

Ministri në detyrë për Europën dhe punët e Jashtme Gent Cakaj  njoftoi të mërkurën urdhrin për  dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar.

 

“Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, tha Cakaj.

 

Sipas autoriteteve shqiptare Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast kanë zhvilluar veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

 

Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall persona non grata diplomatë iranianë.

 

Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit dhe një tjetër diplomat u dëbuan, pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *