Subscribe

Koreja e Veriut ka sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore duke testuar një raketë të re balistike.

 

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë thënë se raketa që është lëshuar nga një zonë në veri të Phenianit, si duket ka dështuar. Zyrtarët jugkoreanë kanë thënë se raketa është shkatërruar disa minuta pasi është lëshuar, – shkruan REL.

 

Kjo provë vjen pas përpjekjeve të SHBA-së për të shfyrtëzuar mbështetjen globale për të penguar Phenianin për kryerjen e lansimeve të tilla.

 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pasi është njoftuar për këtë test, ka thënë në Twitter se Koreja e Veriut nuk “ka respektuar dëshirën e Kinës dhe presidentin e tyre të respektuar”, një referencë kjo për paralajmërimet nga Kina ndaj Veriut se çdo test i ardhshëm i armëve bërthamore do të bënte që Pekini të vendos sanksione të tjera.

 

Kina ende nuk ka komentuar për këtë provë bërthamore.

 

Lansimi i raketës erdhi disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha në OKBse kërcënime nga sulmet bërthamroe të Koresë së Veriut mbi Seul apo Tokio “janë reale” dhe dështimi për të vepruar mund të sjellë “pasoja katastrofike”. – raporton Radio Europa e Lirë.

 

Në fjalimin para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 28 prill, Tillerson u bëri thirrje shteteve anëtare, që të forcojnë sanksione ekonomike ndaj Koresë së Veriut ose reduktimin e marrëdhënieve diplomatike me Phenianin, në përgjigje të programeve të tij të paligjshme me armë bërthamore dhe balistike.

 

Tillerson tha se Koreja e Veriut ka ndërmarrë veprime të rrezikshme me vite dhe se “është koha për ne që të rimarrim situatën nën kontroll”.

 

“Gjatë 20 vjetëve të kaluar, përpjekjet diplomatike për t’i ndaluar këto programe armësh kanë dështuar”, ka thënë Tillerson.

 

“Në kohën e kërcënimeve në rritje, duhet të vëmë presion të ri mbi Korenë e Veriut që ta braktisë këtë rrugë të rrezikshme”, ka shtuar sekretari Tillerson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *