Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen i ka bërë thirrje Kinës që të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në një fjalim në Uashington më 13 prill, Yellen tha se shpreson se Kina do të bëjë diçka pozitive nga “marrëdhëniet speciale” të afirmuara së fundmi me Rusinë për të ndihmuar në përfundimin e luftës dhe tha pozita e Pekinit në botë do të pësojë nëse dështon të bëjë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i botës ndaj Kinës dhe gatishmëria e saj për të përqafuar integrimin e mëtejshëm ekonomik mund të ndikohet nga reagimi i Kinës ndaj thirrjes sonë për veprim të vendosur ndaj Rusisë”, tha Yellen.

Yellen theksoi gjithashtu se administrata Biden është e vendosur në angazhimin e saj për të kërkuar llogari nga Rusia për “sjelljen e saj të tmerrshme” dhe shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se ata që kërkojnë të minojnë sanksionet perëndimore përballen me pasoja.

“Koalicioni i unifikuar nuk do të jetë indiferent ndaj veprimeve që minojnë sanksionet që kemi vendosur”, tha ajo.

Qasja shumëpalëshe e Biden i ka mundësuar Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara të imponojë kosto të konsiderueshme ndaj Rusisë, tha Yellen, duke e bërë të qartë se vendet e G7 vepruan në emër të një rendi global të bazuar në rregulla që mbron paqen dhe prosperitetin.

Derisa presidenti rus Vladimir Putin t’i japë fund “luftës së tij të tmerrshme”, ajo tha se administrata e Biden do të punojë me partnerët e saj për ta shtyrë Rusinë më tej drejt izolimit ekonomik, financiar dhe strategjik.

“Kremlini do të detyrohet të zgjedhë midis mbështetjes së ekonomisë së tij dhe financimit të vazhdimit të luftës brutale të Putinit”, tha Yellen.

Fjalimi i Yellen vjen derisa Uashingtoni dhe aleatët kërkojnë të bëjnë presion ndaj Indisë, Kinës dhe vendeve të tjera që të marrin një qëndrim të qartë kundër Rusisë.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së pranoi gjithashtu se lufta ka rritur ndjeshëm çmimet e ushqimit, energjisë dhe disa metaleve./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *