Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka deklaruar se marrëdhëniet mes Parisit dhe Uashingtonit janë të palëkundura ndonëse pakti i sigurisë AUKUS mes Britanisë së Madhe, Australisë dhe SHBA zemëroi Francën e cila humbi marrëveshjen 66 miliardë dollarësh të nëndetëseve konvencionale.

Pas takimit me homologun, Zhan IV lë Drian në New York, sekretari Blinken u shpreh besimplotë për progres në konsultimet që po zhvillohen mes palëve.

“Ne po punojmë në një proces negociatash të thella në mënyrë që të forcojmë sërish bashkëpunimin mes vendeve tona, duke e vërtetuar me vepra. E pranojmë se procesi i negociatave do të marrë kohë dhe shumë punë por jam i bindur se interesat tona të përbashkëta dhe vlerat që ndajmë janë shumë të forta dhe të palëkundura dhe do ti çojmë përpara”, është shprehur sekretari i Shtetit  në SHBA, Antony Blinken.

Ministri i jashtëm francez në një deklaratë zyrtare bëri të ditur se ka diskutuar me homologun amerikan kushtet dhe çështjet kryesore për t’u trajtuar gjatë konsultimeve të thella, për të cilat ranë dakord edhe dy presidentët, Biden dhe Macron gjatë një bisede telefonike, dy ditë më parë.
Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell ka deklaruar se pakti AUKUS duhet të bëhet një mësim për unionin dhe t’i hapë rrugën ngritjes së një force ushtarake evropiane që do të vepronte nën varësinë e NATO-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *