Një ditë pasi Komisioni Evropian miratoi paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e rajonit të përfshira në këtë proces, SHBA dhe BE konfirmojnë veccanërisht mbështetjen për Tiranën dhe Shkupin.

 

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, prioritet i deklaruar i tërë Ballkanit Perendimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit. Ky rajon i takon Bashkimit Evropian. Integrimi më i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribojë në prosperitetin e njerëzve në rajon. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”.

 

Uashingtoni dhe Brukseli gjithashtu përsërisin thirrjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shmangur tensionet.

 

“Ne nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është mekanizmi kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”.

 

Në deklaratën e përbashkët përmenden edhe Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, vende ku ka pasur tensione në muajt e fundit.

 

Në takimin e fundit mes Sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken dhe shefit të diplomacisë europiane, Josef Borrell, pak ditë më parë, Uashingtoni dhe Brukseli ranë dakord të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *