
GRUA
“Kadin”, është një serial dramatik turk, ndër më të suksesshmit e viteve të fundit dhe fitues i disa çmimeve të rëndësishme në kinematografinë turke, si: aktorja më e mirë e serialeve, seriali më i mirë i vitit etj. Në qendër tij është jeta e një gruaje, Baharit (Özge Özpirinçci), nënë e dy fëmijëve, Nisanit dhe Dorukut. Në serial, Bahari, një grua e bukur, në të tridhjetat, martohet me dashurinë e jetës së saj, Sarp Çeshmelinë (Caner Cindoruk) dhe lind një vajzë, Nisanin. Më pas, ndërsa është në pritje të fëmijës së dytë, Sarpi zhduket në një traget, në rrethana misterioze.
Seriali “Kadin” ka për qëllim të portretizojë personazhe të vërteta, nga jeta e vërtetë. Ndjeshmëria dhe realizmi që përçon seriali e bëjnë atë shumë të ndier dhe të dashur për teleshikuesin. Pikërisht ky duket se është edhe sekreti i tij. Seriali “Kadin”, fillon katër vjet pas vdekjes së Sarpit, kur Bahari e gjen veten të vetme dhe përpiqet të kujdeset për dy fëmijët e saj, Dorukun dhe Nisanin, të cilët janë e vetmja gjë që e mbajnë atë të lidhur me jetën. Bahari, dikur e braktisur nga nëna e saj, kur ishte vetëm tetë vjeç, është një nënë shumë e përkushtuar ndaj fëmijëve. Pa arsimin e duhur, ajo kalon nga një punë e rëndomtë në tjetrën. Ajo punon në një fasoneri, ku i kalon ditët duke hekurosur rroba.
Personazhi i Sarpit, babait të fëmijëve, i cili është zhdukur katër vjet më parë, është vazhdimisht në ekran. Bahari u tregon fëmijëve histori lidhur me babanë e tyre. Takimin e tyre, martesën, lindjen e Nisanit… Kështu, fëmijët dhe veçanërisht Doruku, që ka lindur pas zhdukjes së të atit, nuk e ndiejnë mungesën e tij. Fëmijët e pyesin vazhdimisht nënën për të atin. Përmes mënyrës se si ajo u flet atyre për të, kuptohet se Bahari është ende e dashuruar me Sarpin, burrin e saj të vdekur.
Bahari, e vetme, nuk mund ta paguajë më qiranë, ndaj, pasi e hedhin në rrugë, e detyruar të gjejë një strehë për fëmijët e saj, ajo e gjen veten në një lagje të keqe të Stambollit, me prostituta, banditë dhe përdorues droge.
Me fëmijët dhe për fëmijët, ajo arrin ta kthejë jetën në një lojë, varfërinë në argëtim dhe boshllëkun në gëzim. Ajo beson se kur dikujt i qesh fytyra, edhe zemra do t’i buzëqeshë bashkë me të.
Bahari ka edhe një gjysmë motër, Shirinën. Seriali zbulon dalëngadalë se ekziston një lidhje midis familjes së Baharit dhe zhdukjes së Sarpit. Me kalimin e kohës, nisin të zbulohen edhe rrethanat e zhdukjes së tij.