Serbia vazhdon të udhëhiqet nga një mentalitet i viteve ‘90. Këtë konstatim bëri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u shpreh se nuk pret asnjë ndryshim pozitiv pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Serbi, ku Aleksandër Vuçiç fitoi edhe një mandat.

 

“Është për fat të keq edhe të Serbisë dhe të rajonit që nuk ka një ndryshim pozitiv, në kontekst të mentalitetit politik që e udhëheq Serbinë. Pra, edhe nëse flasim për të djathtë, të majtën apo qendrën, për fat të keq vazhdon një mentalitet i viteve ’90 ku Serbia vazhdon t’i shohë shtetet e tjera në rajon, në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi, por edhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme.”

 

Gjatë konferencës për shtyp për 1-vjetorin në detyrë, Osmani vuri në dukje domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

 

“Kam kërkuar të bëhen organizimet që aplikimi në Këshillin e Evropës të bëhet sivjet. Nga shtetet që do të votojnë në këshillin e ministrave që është hapi i fundit i votimit në Këshillin e Evropës më shumë se 2/3 e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që të votojnë në favor. Sa i përket anëtarësimit në NATO është shumë më i komplikuar, sepse kërkon votim dhe vendim me unanimitet të plotë dhe në NATO janë ende 4 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.”

 

Për sa i përket kërcënimeve nga Serbia, Osmani tha se Beogradi ka patur gjithmonë një tendencë për të provokuar Prishtinën, por ato nuk do të kenë asnjë efekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *