Serbia ka njoftuar se do të ofrojë një dozë përforcuese të vaksinës COVID-19 për popullsinë e saj, pasi vendi po përballet me një rritje të numrit të të infektuarve.

Rastet e reja janë shënuar kryesisht te personat e pavaksinuar.

Serbia kishte realizuar një fushatë të shpejt vaksinimi, mirëpo intenziteti i saj ra pasi 40 për qind e popullsisë u vaksinua.

“Shumica dërrmuese e pacientëve të shtruar në spital janë qytetarë të pavaksinuar”, tha qeveria në një deklaratë të hënën (16 gusht).

Dozat përforcuese të vaksinës do të rekomandohen për grupet më të ndjeshme të popullsisë, përfshirë qytetarët me imunitet të dobët dhe të moshuarit, pastaj punonjësit shëndetësor dhe personat që udhëtojnë shpesh.

Qeveria tha se kushdo që ka marrë një vaksinë të dytë më shumë se gjashtë muaj më parë do të ketë të drejtë të marrë një dozë të tretë.

Pavarësisht se me cilën vaksinë janë imunizuar fillimisht, qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin cilëndo vaksinë për dozën përforcuese.

Falë marrëveshjeve të hershme me një sërë kompanish farmaceutike, Serbia u furnizua me miliona doza vaksinash nga Rusia, Kina dhe kompanitë perëndimore, megjithëse shumica e vaksinave janë Sinopharm të Kinës.

Që nga fillimi i pandemisë Serbia ka regjistruar më shumë se 7.100 vdekje dhe mbi 732.000 raste të koronavirusit./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *