Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, për integrimin e tyre në BE.
Scholz nënvizoi nevojën për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Evropa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim sot e 20 vjet. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Evropë.Po ashtu edhe normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“.
Kancelari gjerman theksoi se Evropa duhet të jetë e bashkuar, në mënyrë që të përballojë çdo sfidë.
“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Duhet të jemi të bashkuar si tani ne përballje me agresionin e Rusisë në Ukrainë.”
Kancelari Olaf Scholz i përcolli mesazhet e tij gjatë fjalimit për të ardhmen e Unionit, të mbajtur në parlamentin europian.