“Rusia po bëhet “kërcënim gjithnjë e më i madh” për NATO-n”. Ky ishte paralajmërimi i Ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
“Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po përpiqet me qëllim ta minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane. Ai kërkon t’i provokojë shtetet anëtare të NATO-s. Ai dëshiron t’i ekspozojë dobësitë brenda aleancës sonë“, Boris Pistorius, Ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë.
Ai theksoi se NATO-ja ka reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi.
“Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Po ruajmë gjakftohtësinë duke qëndruar të palëkundur dhe të vendosur. Kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve tanë në Baltik që u ngritën dhe shoqëruan avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë.”
Në këtë forum foli edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ukraina i propozon Polonisë dhe të gjithë partnerëve tanë të ndërtojnë një mburojë të përbashkët dhe vërtet të besueshme kundër kërcënimeve ajrore ruse, dhe kjo është e mundur. Ukraina mund t’i kundërvihet të gjitha llojeve të dronëve dhe raketave ruse, dhe nëse veprojmë së bashku në rajon, do të kemi armë dhe kapacitet prodhimi të mjaftueshëm për këto. Nëse Rusia humbet aftësinë për të goditur në qiell, ajo nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë luftën“, Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës
Më herët, shtetet e BE-së, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Estoninë, Norvegjinë dhe Danimarkën, raportuan shkelje të hapësirës ajrore dhe ndërhyrje nga dronë. Por Rusia e ka mohuar përfshirjen e saj.
/vizionplus.tv





