Rusia i ka ndalur furnizimet me naftë në Poloni përmes gazsjellësit Druzhba, ka thënë Daniel Obajtek, shefi i rafinerisë polake të naftës, Orlen.

 

Megjithatë, ndikimi besohet se është i neglizhueshëm.

 

Obajtek ka thënë se kompania ka qenë “plotësisht e përgatitur” për këtë skenar.

 

“Vetëm 10 për qind e naftës së papërpunuar ka qenë duke ardhur nga Rusia, dhe ne do ta zëvendësojmë atë me shtetet tjera furnizuese”, ka shkruar ai.

 

“Ky është rezultat i diversifikimit të kryer në vitet e fundit”.

 

Orlen ka thënë se mund t’i sigurojë furnizimet plotësisht nga rrugët detare, që nënkupton se ndalesa ruse nuk do të ketë ndikim në disponueshmërinë e produkteve të saj me pakicë, si benzina.

 

Druzhba njihet si një prej gazsjellësve më të mëdhenj në botë dhe furnizon me naftën ruse shumë shtete në Evropën Qendrore.

 

Gjermania është furnizuar, po ashtu, përmes kësaj rruge, mirëpo ka hequr dorë vullnetarisht pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

 

Aktualisht rrjedhjet e naftës ruse përmes tubacioneve janë të përjashtuara nga sanksionet e Bashkimit Evropian.

 

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

 

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

 

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *