Deputetja Rudina Hajdari deklaroi sot se ne zgjedhjet e 25 prillit do të kandidojë ne qarkun e Elbasanit, nën siglën e “Nisma Thurje”, përballë Monika Kryemadhit.

 

Mirëpo, anëtari i kësaj lëvizjeje, Endri Shabani tha në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se vendimi i saj nuk është formalizuar ende dhe se lista e kandidatëve do të shpallet në momentin e duhur.

 

“Ne jemi në procesin e formalizimit të subjektit politik. Ende nuk jemi regjistruar në KQZ. Do e shpallim listën e kandidatëve në momentin e duhur; jemi ende duke punuar për organizimin e subjektit, për organizimin e njësive bazë të fushatës. Ende nuk kemi marrë nje vendim për këtë çështje!  Vendimi i Rudinës do të jetë një vendim që do të merret bashkë me kandidatët e tjerë. Ajo ka shfaqur vullnetin e saj për të kandiduar në Elbasan. Nuk është formalizuar asgjë. Në çdo qark ku ne do të garojmë, përballja është midis të shkuarës dhe të ardhmes.”

 

Teksa fliste për axhendën dhe aspiratën e “Nisma Thurje”, Shabani theksoi se ata nuk do të shkojnë në Parlament si politikanë, por si qytetarë.

 

“Ne nuk jemi politikanë. Ne jemi qytetarë të papërfaqësuar. Ajo që ka ndodhur është se ne që në 2014 kemi pritur që këto ndryshime t’i bënin ata që ne i kemi paguar me taksat tona, dhe nuk e kanë bërë. Për këtë arsye, ne kemi nisur një nismë në 2019 për të ndryshuar sistemin politik. Mblodhëm 50 mijë firma, por pati një lloj bllokimi nga partitë politike. Morëm vendimin që të përfaqësohemi në mënyrë direkte.  Ne do të shkojmë në Parlament si qytetarë. Nuk jemi në një ambicie për t’u bërë bashkë me ata që e kanë vjedhur për 30 vite Shqipërinë dhe janë të pandëshkuar sot e kësaj dite. Ne kemi një axhendë ligjore, kemi 33 projektligje, të cilat duam t’i çojmë në Parlament. Të ndërtojmë një aleancë me qytetarët. Krijojmë një presion publik, civil, politik që këto ligje të votohen. Kjo është axhenda jonë. Aspirata që kemi për momentin. Ne jemi shumë pranë me forcat që nuk kanë patur në drejtimin e tyre njerëz të cilët kanë qenë në pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *