Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot një delegacion të Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit, të kryesuar nga Prof. Dr. Wang Dinghua, Kryetar i Këshillit  të Universitetit. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding. Delegacioni kinez është në Shqipëpri në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta me institucione akademike dhe universitare shqiptare, në kuadrin e 70 vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomaitke midis të dy vendeve.

 

Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi drejtuesit e Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit për kontributin për konsolidimin e katedrës së gjuhës shqipe ne Pekin, për mbështetjen e qendrës së studimeve shqiptare, hartimin e teksteve universitare për mësimin e gjuhës shqipe, krijimin e bibliotekës albanologjike për kinezët, botimin e fjalorit shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip, me afërisht 45 mijë fjalë, përkthimin së fundi në gjuhën kineze të 25 veprave letrare të autorëve shqiptarë etj. Ruçi inkurajoi gjithashtu vazhdimin dhe shtimin e veprimtarive të përbashkëta midis universiteteve shqiptare, Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit.

 

Delegacioni universitar falenderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen e bashkëpunimit shqiptaro-kinez, nëpërmjet përvojës së tij të gjatë politike dhe institucionale si edhe u angazhuan në konsolidimin e institucioneve dhe qendrave studimore kushtuar albanologjisë në Universitetin e Studimeve të Huaja dhe universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore e shkencore të Republikës Popullore të Kinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *