Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u ka uruar besimtarëve të krishterë shëndet dhe lumturi me rastin e Festës së Lindjes së Krishtit.

 

Në mesazhin e urimit, kryeparlamentari shkruan se është i dyti vit që shqiptarët nuk e festojnë Krishtlindjen siç do të dëshironin, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë.

 

“Në ditën e bukur të Festës së Lindjes së Krishtit, u uroj besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet dhe lumturi në vatrat familjare. Është i dyti vit që shqiptarët dhe i pari dhjetor që besimtarët anembanë globit nuk e festojnë Krishtlindjen siç do të dëshironin. Tërmeti i 26 nëntorit na detyroi për një kohë të rrinim me ankth në shtëpitë tona dhe fëmijët të luanin jashtë tyre, ndërsa pandemia na detyroi të mbylleshim në shtëpi dhe të kufizohemi nga gëzimet e jetës. Uroj që këto të jenë kufizimet e fundit të festave dhe jetëve tona. Nga mot, do festojmë të gjithë bashkë dhe emigrantët do të vijnë lehtësisht te të afërmit dhe atdheu i tyre.”

 

Sipas Ruçit, kjo festë është çasti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira që aspirojmë në jetët tona.

 

“Mesazhi i Krishtlindjeve është më i fuqishëm dhe më domethënës se asnjëhere në jetën e brezave që sot festojnë: familja, besimi, ndihma, solidariteti, mirënjohja, komuniteti, përkushtimi dhe mirësia janë sfiduesit më të mëdhenj të pandemisë. Pas muzgut që shkaktoi pandemia, po agon drita që vjen prej dashurisë, forcës njerëzore dhe dëshirës për jetën. Te fuqia dhe bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë e dashurinë njerëzore. Le të vazhdojmë t’i nxjerrim jashtë jetëve tona armiqsitë, konfliktet, individualizmin, egoizmin dhe teprimet dhe t’i kushtohemi mbrojtjes së jetëve njerëzore. Pasioneve dhe egocentrizmit t’u kundërvemë përkushtimin për të ndihmuar, shëruar, shërbyer e shpëtuar jetë. Diferencat e dallimet midis nesh nuk janë rreziku ynë, por burimi i fuqisë sonë dhe i pasurisë së shoqërisë, pjesë e mozaikut të vlerave tona. Dashuria për tjetrin, nevojtarin e të ndryshmin; harmonia e paqja me ata që na rrethojnë; gëzimi i jetës dhe i fëmijëve; shpresa se nesër gjithshka do të jetë më mirë; janë sot kuarteti i vlerave që duhet të na udhëheqin. Festa e Krishtlindjeve është mundësia për të nderuar edhe njëherë mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të betejës për mbrojtjen e jetëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *