Sulmet kibernetike po njohin në mbarë botën rritje të shpejtë duke rendur në një garë të egër me sistemet mbrojtëse  dhe me vetë zhvillimin e sektorit digjital në nivel global.

 

Rasti i Shqipërisë është vetëm një nga pafundësia e episodeve që shfaqen kudo, në të gjitha kontinentet.

 

Ish-prokurori Besnik Muçi ka folur në lidhje me sulmeT kibernetike, për të cilat tha se në Shqipëri është krijuar një strukturë hetimi për këtë gjë, por sipas tij ato duheshin specializuar dhe trajnuar më herët.

 

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi, Muçi tha se agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri do e kenë të vështirë t’i përgjigjen këtij sulmi frontal.

 

“Shqipëria prej shumë vitesh ka krijuar strukturat e saj të hetimit të krimit me natyrë kibernetike. Natyrisht ngjarjet e fundit treguan se këto struktura duhet ndoshta të ishin krijuar më herët, të ishin specializuar, të ishin trajnuar. Por Shqipëria e ka një strukturë të tillë të hershme. Sa është në gjendje t’i përgjigjet këtij lloj sulmi, që është një sulm shumë frontal, shumë i madh, që agjencitë ligjzabtuese do e kenë shumë të vështirë t’i përgjigjen”, tha ai.

 

Ish-prokurori tha se për sulmet kibernetike, të cilat janë shumë komplekse, duhet të bashkëpunojnë edhe agjencitë e huaja, përveç atyre vendase.

 

Ne kemi agjenci që merren me hetimin e kësaj kategori krimi.

Janë krime komplekse.  Në këto krime duhet të veprojnë jo vetëm agjencitë ligjzbatuese vendase, por edhe të vendeve të tjera”, tha Muçi.

 

Muçi komentoi edhe deklaratat e Prokurorisë ndaj mediave, për mospublikim të materialeve të hakerave.

 

Sipas tij, vendimet e prokurorisë nuk kanë efekt për aq kohë sa materialet e nxjerra nuk janë akte të procedimit penal dhe nuk janë subjekte hetimi.

 

“Në vlerësim teknik, këto të dhëna që dalin në media nuk akte të procedimit penal dhe janë subjekte hetimi. Nuk besoj se është forma më e mirë. Kjo ngelet në ndërgjegjen e medias. Nuk ka efekt vendimet e prokurorisë për mospublikimin e të dhënave sepse ato janë publikuar gjithëandej”, tha Muçi.

 

Ish prokurori tha më tej ne Vizion Plus se: “Nga informacionet e mia, Shqipëria ka një bërthamë të hetimit kibernetik shumë të mirë në Policinë e Shtetit. Nuk e di se sa kjo bërthamë është e shtrirë në drejtoritë e Policisë. Fakti që këto krime po bëhen shumë të shtuara në masë, duhet të ketë një strategji për të krijuar dhe forcuar struktura të posaçme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *