Armenia ka thënë se gjithsej 3.773 pjesëtarë të saj të ushtrisë u vranë gjatë luftës 44-ditore me Azerbajxhanin në fund të vitit 2020.

Njoftimi për bilancin e luftës u bë nga kryeministri, Nikol Pashinian. Kjo është hera e parë që ky vend bënë publik numrin e plotë të ushtarëve të vrarë.

Gjatë një fjalimi në parlament, kryeministri armen tha se ende nuk dihet për fatin e 243 ushtarëve të tjerë, ndërsa disa të burgosur nga ana e Azerbajxhanit ende nuk janë kthyer në Armeni.

Ai shtoi se mijëra persona u zhvendosën si rezultat i luftimeve, duke shkaktuar dëme “të jashtëzakonshme” sociale dhe ekonomike.

Dy vendet, vitin e kaluar, kanë luftuar gjashtë javë për rajonin e Nagorno Karabakut.

Ky rajon njihej ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohej nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6,000 njerëz janë vranë në luftimet e vitit të kaluar, që kanë përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë rrethet përreth tij janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Palët ranë dakord për vendosjen e 2.000 forcave paqeruajtëse ruse në zonën e konfliktit./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *