Paulo Vellku do të ketë shtrim të detyrueshëm të përkohshëm në një spital psikiatrik. Kështu ka vendosur gjykata e Korçës për 20 vjeçarin, i cili akuzohet për rrëmbim ose mbajtje peng të personit. 20 vjeçari tri ditë më parë në lagjen 17 të qytetit të Korçës ka rrëmbyer një të mitur e cila ishte nën shoqërinë e nënës së saj.

Kanë qenë kalimtarë të rastit të cilët e kanë shpëtuar 4-vjeçaren nga duart e rrëmbyesit duke ia rikthyer nënës së vet.

Vellku nuk është emër i panjohur për policinë, pasi kohë më parë ka qenë i dënuar për dhunë në familje, ndërkohë që njihet si person i kartelizuar me probleme të shëndetit mendor.

Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë 20-vjeçari ka treguar se nuk mban mend asgjë nga ngjarja.

Avokati i tij ka bërë me dije se edhe për rastin e parë mjekimin e detyrueshëm e ka kaluar në burgun e Zaharisë, mjekim të cilin pas shlyerjes së dënimit ka vijuar ta marrë në rrugë ambulatore.

Gjithnjë sipas mbrojtjes 20 vjeçari natën e ngjarjes mendohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ndaj edhe për këtë ka kërkuar kryerjen e analizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *