Kryedemokrati Lulzim Basha reagoi për rastin e Manjola Cakonit, një nga qytetaret që mbijetoi nga tërmeti tragjik. Përmes një postimi në “Facebook”, Basha tha se dëshmia e saj tregon sesi sillet qeveria me qytetarët e thjeshtë.

 

“Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua.  Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj. Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira. Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre.”

 

Telefonatën e Edi Ramës për Manjola Cakonin, sipas kësaj të fundit, Basha e cilësoi një akt të ulët. Ai kërkoi që t’i jepet fund teatrit që luhet me jetën dhe hallet e qytetarëve.

 

“Teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund. Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshme që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre. Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar.”

 

Pasi tha publikisht se shteti e ka braktisur pas tërmetit, Manjola Cakoni doli sot dhe denoncoi se kryeministri Edi Rama e ka telefonuar dhe i ka “tërhequr veshin” për deklaratën e saj. Për këtë rast reagoi edhe presidenti Ilir Meta, i cili tha se bulizmi qeveritar duhet të marrë fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *