Një ditë pas 7 kërkesave drastike që paraqiti për Kosovën, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm në vend. Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i shteti serb gjatë një ceremonie ne prani te forcave ushtarake.
“Të gjithë e kuptojnë se sa nevojë kemi për një ushtri të fortë, se sa shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është të pengojmë këdo në na kërcënon çdo ditë pa pasur frikë”, tha Vuçiç.
Lexo edhe :
Related Posts
Vuçiç nuk specifikoi se kush po kërcënon të sulmojë Serbinë. Një ditë më parë kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, tha se Qeveria serbe është e gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri. Vendimi i Vuçiç vjen pas një sërë masash dhe kërkesash që ai paraqiti lidhur me situatën ne veri të Kosovës mbrëmjen e së premtes. Lidhur me aludimet për shpalljen e pushtimit ndaj Kosovës, Vuçiç tha se nuk ka marrë ende një vendim sepse një gjë e tillë do të legjitimonte ushtrinë e Kosovës dhe do të njihte Kosovën si shtet të pavarur./vizionplus.tv