Champions League rikthehet sonte në mbrëmje me duelet e treta në grupe.

Spikat ndër 8 takimet që luhen sonte, super përballja e San Siros mes Interit dhe Barcelonës, e vlefshme për grupin C.

 

Të dyja skuadrat kanë nga 3 pikë pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, dhe gjasat janë që ky duel të përcaktoje edhe skuadrën që do ti bashkëngjitet Bajernit , si skuadrat që do të kualifikohen për në të 1/8 nga ky grup.

 

Inter është në një moment aspak të favorshëm sezonal. Skuadra po vuan në kampionat ku së fundmi u mposht 2 me 1 nga Roma, ndërsa mjaft dilema janë shtuar edhe rreth presidencës kineze, me Stiven Zhang, që përveç bilancit të ndjeshëm negativ financiar, mesa duket po mendon ta shesë klubin zikaltër.

 

Veç të tjerash, kjo është një provë zjarri edhe për trajnerin  Inzagi, të cilit për shkak të rezultateve po i lëkundet stoli.

 

Trajneri zikaltër nuk do të ketë të gatshëm Lukakun dhe Brozovic. Ndryshe nga dueli me Romën ku titullari luajti Kristjan Asllani, këtë herë mesfushori kuqezi do ta nisë nga stoli për t’ia lënë vendin Mikitarian.

 

Në krahun tjetër Barcelona është në forme shumë të mirë, duke bashkëkryesuar La Ligën me Realin pa humbje deri më tani. Katalanasit synojnë të hedhin një hap të madh drejt kualifikimit duke fituar në San Siro.

 

Mungesat e De Jong, Depait dhe Kounde nuk shqetësojnë trajnerin Xavi, që mbështetet tek superforma e Levandosvkit.

 

Në ndeshjen tjetër të grupit Bajerni synon të shkëputet edhe më shumë në krye, duke kërkuar fitoren në shtëpi ndaj Viktoria Plzen.

 

Me shumë interes janë duelet e grupit A aty ku edhe beteja për dy vende është e zjarrtë. Ajaks pret në shtëpi Napolin kryesues, me shpresën për ta rihapur edhe më shumë garën për kualifikim nëse mposht italianet. Misioni do të jetë jo i lehtë, pasi Napoli është i pamposhtur në këtë sezon mes kampionatit dhe Championsit.

 

Në krahun tjetër Liverpool synon të përfitojë nga kjo përplasje, duke tentuar fitoren në derbin britanik kundër Rangers.

 

Në grupin B Atletiko Madrid ka vetëm një mision ndaj kryesuesve të Club Brugge, fitoren ndërsa në sfidën tjetër Porto luan ndaj Bajer Leverkusen.

 

Në grupin D, spikat dueli anglo-gjerman Ajntraht Frankfurt vs Tottenham të cilat kanë nga 3 pikë, ndërsa Marseja pret në shtëpi kryesuesit e Sporting Lisbone.

 

7 nga 8 ndeshjet e mbrëmjes transmetohen vetëm ne Tring.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *