Programi i rijetëzimit të kullave, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në veri po zgjerohet me përfshirjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Fakultetit të Arkitekturës.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja i pranishëm në aktivitetin e organizuar për prezantimin e kësaj faze të re në Malësinë e Madhe, tha se ky program synon të mbrojë dhe të rijetësojë një nga elementët më përfaqësues të identitetit kulturor në Shqipërinë e Veriut.
Sipas Gonxhes, deri tani janë inventarizuar dhe dokumentuar 523 kulla, duke përfshirë elemente të arkitekturës, etnografisë, trashëgimisë kulinare dhe potencialit turistik.
Programi parashikon kalimin në zbatimin e plotë gjatë periudhës 2027–2029. Kjo fazë përfshin angazhimin buxhetor të Ministrisë, me një planifikim fillestar prej 400 mijë euro për vitin 2027. Paralelisht, do të nisë zbatimi i programit kombëtar trevjeçar, i cili do të fokusohet në restaurimin, funksionalizimin dhe integrimin e kullave në rrjetin turistik kombëtar.





