Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Rama pas kritikave që ky i fundit lëshoi ndaj drejtuesve te Universiteteve Publike, në një takim me ta të enjten.

 

Sipas Konit, përpjekja për të ndryshuar rrjedhën e gjërave dhe gjetja e fajtorëve në këtë situatë, nuk është gjë tjetër, sipas tij,  veçse  një përpjekje e dështuar që tregon vetëm frikë dhe asgjë tjetër.

 

Ai shton se në asnjë ditë të punës së tij  si Rektor i Universitetit të Tiranës nuk është “arratisur” nga përgjegjësia, por përkundrazi ka paraqitur problematikat në të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, përfshirë edhe informimin e Ramës.

 

Koni vijon akuzat ndaj Ramës duke pohuar se akuzat e tij tregojnë shumë qartë se ai nuk e njeh ligjin e arsimit të lartë 80/2015.

 

 

Të njëjtën gjë bëni edhe me çështjen e tarifës së provimeve të mbartuara të studentëve, për të cilën, Senati Akademik i UT, ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen  e saj.Në çdo rast, Ju ushtroni presion, intimidoni, ironizoni dhe  shantazhoni, jo vetëm në mënyrë të drejtëpërdrejtë por edhe nëpërmjet mediave që janë pranë qeverisë, duke mos i dhënë mundësinë askujt, në rastin konkret mua, të shprehem dhe të them të vërtetën se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës.Është e vërtetë që në Universitetin e Tiranës, ka patur probleme të brendshme, të inskenuara nga kasta drejtuese e vjetër e universitetit, për qëllime të caktuara, që  fatkeqësisht kanë gjetur mbështetjen nga institucionet më të larta të Shtetit Shqiptar.

 

Në reagimin e tij drejt kryeministrit, Koni sqaron se në Universitetin e Tiranës në asnjë rast nuk ka patur bllokim madje, sipas rektorit ky pretendim i kryeministrit bëhet vetëm për të shtrembëruar arsyet e vërteta të protestës së studentëve.

 

 

Ju po deklaroni sot, se duhet të shkarkohen anëtarët e Bordit të Administrimit, kurse unë, në mënyrë të vazhdueshme i kam kërkuar Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të marrë masat e nevojshme për çfarë Ju keni konstatuar sot, si një dështim të funksionimit edhe të Bordit të Aministrimit të Universitetit të Tiranës.Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës, nëpërmjet Administratorit të UT (aktivist në fushatat elektorale të Partisë tuaj), është përpjekur sistematikisht të pengojë zhvillimin normal të punës.Në fakt arsyeja që unë luftohem është pikërisht njohja shumë e mirë e ligjit të arsimit të lartë, dhe jo vetëm, është përgjegjshmëria e lartë dhe përkushtimi në punë që më karakterizon, dhe mosbërja palë në interesa të caktuara.

 

 

Në fund Mynyr Koni shton se nëse për Ramën, protesta e studentëve ështe një shuplakë, për vetë rektorin është një shprehje e lirisë dhe demokracisë, dhe si e tillë është një fitore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *