Rëndohet bilanci i viktimave me koronavirus në Shqipëri. Sipas Genta Qirajkos nga Ministria e Shëndetësisë, në 24 orët e fundit e kanë humbur betejën me virusin gjashtë pacientë.

Ky është numri më i lartë i vdekjeve ditore në vend që prej nisjes se pandemisë.

Ata ndodheshin të shtruar në të dy spitalet COVID. Vlen të veçohet fakti që dy prej pacientëve që kane ndërruar jetë nuk kishin sëmundje të tjera.

“Fatkeqësisht 6 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Shefqet Ndroqi dhe në spitalin Infektiv: Nuk e kanë fituar dot betejën në spitalin COVID1 një 43 vjeçare dhe një 79 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçar nga Kruja, të tre të intubuar prej disa ditësh, me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi”, një 62 vjeçar nga Pogradeci me sëmundje bashkëshoqëruese, një 56 vjeçar nga Kukësi, dhe një 69 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera.”

Ndërkohë, numri i rasteve të reja ka pësuar një rënie krahasuar me një ditë më parë. Në 304 të testuar, janë zbuluar 67 të infektuar.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 304 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 56 raste në Tiranë, 8 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Sarandë.”

Situatë e rëndë vijon të jetë në spitalet COVID, ku marrin trajtim 115 pacientë, 21 prej të cilëve në terapi intensive dhe nëntë në intubim.

Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë raportoi edhe për 29 qytetarë të shëruar.


Gjithsej, Shqipëria numëron 4.637 të infektuar, 134 të vdekur dhe 2.637 të shëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *