Këngëtari Elton Deda i kërkoi publikisht kryeministrit Edi Rama të shfuqizojë aktin normative që ndalon muzikën pas orës 20.00 në lokale dhe mbyll klubet e natës.

Deda i bëri thirrje Ramës në “Facebook” që të heqë dorë nga kjo sa nuk është vonë. Ai tha se në këtë mënyrë shqiptarët po humbin një dritare që u jep kënaqësi.

“Reflekto or mik sa nuk është vonë. Mos jua mbyll shqiptarëve të dërrmuar atë dritaren e zbehtë që u jep pak kënaqësi. Ka plot forma që mos t’i rrënosh muzikantët e bashkë me ta gjithë zinxhirin e biznesit. Shfuqizo atë aktin e çuditshëm dhe bëj një të ri ku shtrëngon masat. Ti do thuash “jemi keq si komb e s’marrim vesh”…por ta garantoj që kështu nuk do marrim vesh jo për inat, por sepse po shkojmë drejt një grope të madhe. Sa më shpejt madje. Miqësisht, një pjesë e armatës të denigruar prej 5 muajsh.”

Të hënën, kur qeveria bëri publik aktin normative, artistët u revoltuan. Ata dolën në protestë para Kryeministrisë, tubim i cili u organizua edhe këtë të martë. Protestat u shoqëruan me përplasje me policinë, e cila shpërndau këngëtarët dhe madje edhe shoqëroi disa prej tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *