Subscribe

Hyrja në fuqi e çmimeve të reja të referencës për apartamentet në Tiranë, në mes të vitit të kaluar, konsiderohet nga shoqata e ndërtueseve si antikushtetuese.

Për këtë arsye kjo shoqatë ka ankimuar pjesërisht vendimin në gjykatë, me pretendimin se kjo vendimmarrje e qeverisë nuk mund të ketë efekt prapaveprues.

Në padinë e dorëzuar në kushtetuese, kompanitë e ndërtimit nënvizojnë se referencat e reja nuk duhet të prekin lejet e ndërtimit që janë në proces, por vetëm ato që do të jepen pas hyrjes në fuqi referencave të reja.

E njëjta situatë duhet të jetë edhe për taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila për projektet në proces duhet t’i nënshtrohet çmimeve të vjetra të referencës. Ndërkohë gjykata e ka pranuar padinë, ndërsa seanca e parë e shqyrtimit është caktuar në datën 18 qershor.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, në Tiranë, çmimet e referencës për ndërtimet u rritën nga 5 deri në 70 %, me argumentin e afrimit të vlerës së objekteve sipas tregut.

Këto çmime sollën ndryshim të menjëhershëm edhe të taksës së ndërtesës për qytetarët e Tiranës, por paralelisht rritën edhe kostot në mënyrë të menjëhershme për të gjitha kompanitë e ndërtimit me afro 40%. Me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja, të gjitha detyrimet e kompanive u ripërllogaritën dhe ky fakt sipas ndërtuesve është antikushtetues./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *