Kryeministri Edi Rama priti këtë të enjte në një takim zyrtar Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed.
Dy liderët diskutuan mes tyre çështje rajonale e ndërkombëtare si edhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së tij, Edi Rama veçoi ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe për Shqipërinë, pas tërmetit shkatërrues të 2019-ës.
“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e bukur me mbi 1 mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni”, tha Rama.
Kryeministri përmendi edhe kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë për shqiptarët e Kosovës në vitet e luftës, kur bëhej spastrim etnik ndaj tyre.
“Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj. Dhe unë pata privilegjin të dëgjoj prej jush, që në takimin tonë të parë, se si babai juaj ua bëri të jetuara këto fjalë në atë moment të paharrueshëm, kur qindra mijëra shqiptarë, duke ikur nga spastrimi etnik në Kosovë, vërshuan drejt Shqipërisë. Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte. Ishit Ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Rama e nderoi presidentin Bin Zayed me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, nderimi më i lartë publik i dhënë nga kryeministri, në vlerësim të rolit të tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Rama e nderoi presidentin Bin Zayed me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, nderimi më i lartë publik i dhënë nga kryeministri, në vlerësim të rolit të tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve./vizionplus.tv





