Shembja e Teatrit Kombëtar tërhoqi edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Le Monde” ku flet për këtë çështje.

Ai deklaroi se urdhri për shkatërrimin e godinës u dha pasi ishte konstatuar se ajo nuk ishte më e sigurtë. Kreu i qeverisë tha se opozita dhe disa kritikë shpërndanë një informacion të cunguar, duke e kthyer në një gënjeshtër të madhe.

“Në maj të vitit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës urdhëroi njëzëri shkatërrimin e ndërtesës së ish-Teatrit Kombëtar në Tiranë, pas deklaratave të përsëritura për një kohë të gjatë nga agjencia kombëtare shqiptare, përgjegjëse për inspektimin e ndërtesës, sipas së cilës kjo ndërtesë nuk ishte më e sigurtë dhe më pas duhej të evakuohej dhe prishej, duke i hapur kështu rrugën ndërtimit të një teatri të ri kombëtar në të njëjtin vend. Ndërsa tashmë kishte filluar puna e prishjes, disa parti politike shpejt organizuan një demonstrim, i cili për fat të keq u përshkallëzua, duke çuar në shtrimin në spital të dy oficerëve të policisë. Asnjë nga protestuesit nuk u plagos. Kritikët e projektit të ri, në të vërtetë mjaft të pakët në numër, na akuzuan për fshirjen e një elementi jetik të trashëgimisë kombëtare dhe historisë kulturore. Ky është edhe një ilustrim i përsosur që tregon se si informacioni i cunguar në mënyrë të pashmangshme shndërrohet në një gënjeshtër të madhe, duke i shtuar kësaj fatkeqësinë e botës, siç e thotë aq mirë Albert Camus.”

Sipas Edi Ramës, opozita krijoi një legjendë duke deklaruar vazhdimisht se godina e Teatrit kishte vlera.

“I ndërtuar me tallash të parafabrikuar dhe ashkla druri, misioni i tij ishte i përkohshëm. E vërteta të detyron: Ndërtesa e Teatrit Kombëtar asnjëherë nuk është klasifikuar si një monument i mbrojtur. Me gjithë këtë histori të zymtë, opozita politike shqiptare ka arritur të ndërtojë një legjendë sipas së cilës kjo ndërtesë e rrënuar, e projektuar dobët dhe pa unitet estetik ishte zemra dhe shpirti i kulturës shqiptare. Për ironi, disa prej tyre, kur ishin në qeveri, kërkonin madje të ndërtonin një teatër të ri diku tjetër dhe ta shembnin për të ndërtuar një qendër tregtare në vendin e tij. Duke marrë këtë informacion pa verifikuar faktet, shumë burime të medieve përdorën fjalë shumë të ashpra për këtë prishje si një ilustrim të tendencave autoritare, madje përdorën si krahasim edhe Hitlerin.”

Kryeministri nënvizoi se projekti i ri do të krijojë një imazh tjetër për Tiranën, një qytet që sipas tij, modernizohet çdo ditë.

“Ndërsa këtë vit ne festojmë 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë, projekti i ri do të japë një kontribut pozitiv në peizazhin urbanistik të Tiranës, një qytet që ne e kemi modernizuar me sukses duke ruajtur, rivendosur dhe forcuar trashëgiminë arkitekturore, historike dhe kulturore të pamohueshme. Sidoqoftë, për fat të keq, unë pres që një pakicë e parëndësishme, por aktive, të vazhdojë të shpërndajë broshurat dhe deklaratat e rreme për një ndërtesë historike që nuk ka qenë asnjëherë. “Shpif shpif se diçka do të mbetet përgjithmonë!”, ka shkruar në shekullin XVII, Francis Bacon.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *