Subscribe

Me gjithë debatin nëse duhet të detyrohen studentët të vaksinohen se në të kundërt nuk do të lejohen të ndjekin fizikisht orët e mësimit, kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga ky vendim.

 

Qëndrimin e tij e ritheksoi edhe gjatë vizitës në qendrën shëndetësore numër një në Tiranë.

 

“Nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa shumëkush tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Ne kemi bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit. Kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe prandaj jemi shumë më të mbrojtur sot. Se nëse ne nuk do të kishim pasur këtë sukses në këtë proces. Nëse nuk do të kishim siguruar sasitë për vaksinimin masiv qysh në krye të herës, sot ne do të ishim duke numëruar larg qoftë dhjetëra të tjerë të vdekur në ditë. Ky është fakt. Tani ne nuk mund dot të hyjmë në situata të rrezikshme, për shkak të atyre që thonë: jo po Bill Gates, jo po George Soros. Këtu tani ndahen gjërat. Dhe në auditore do të hyjnë ata që vaksinohen. Sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit, apo që jetojnë me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme. Natyrisht që askush nuk i merr dot me forcë dhe ska ndërmend t’i marrë me forcë askund, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, e njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët”, apeloi Rama.

 

Për ata studentë që nuk do t’i binden urdhrit për t’u vaksinuar, Edi Rama tha se do të duhet të marrin kostot e tyre personale.

 

 

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri me dije se brenda shtatorit pritet që edhe Shqipërisë t’i njihet certifikata e vaksinimit brenda vendeve të Bashkimit Evropian.

 

Aktualisht certifikata e vaksinimit që qytetarët marrin në portalin e-albania nuk mund të përdoret si dokument për të vërtetuar vaksinimin në rast udhëtimi në Bashkimin Evropian. Kjo, pasi sistemi i vendit tonë ende nuk është integruar me standardet e sigurisë të kërkuara nga sistemi i BE-së.

Pra edhe pse mund te jesh i vaksinuar, shtetasit shqiptarë për të dalë jashtë vendit duhet të paraqesin në autoritetet doganiere testin që janë negativ nga Covid 19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *