Një vit më parë kur Shqipëria mori Presidencën e OSBE-së, askush nuk e kishte menduar që 12 muaj më pas, bota do të ishte tërësisht ndryshe. Për herë të parë në histori Ministeriali i OSBE është zhvilluar online, pothuajse si të gjithë aktivitetet e tjera ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe pandemie. Por pandemia duket se nuk e ka penguar Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edi Rama njëherësh dhe kreun e OSBE, që të flasë padoreza për situatën brenda organizatës.

EDI RAMA 

KRYETARI I ZYRES SE OSBE

 Ne jemi në një krizë. Jemi në një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vet ajo, nga strukturat apo nga njerëzit e saj, sepse të gjithë duhet të përgëzohen për angazhimin e palodhur për të përmirësuar sigurinë gjithëpërfshirëse të Europës. Në vend të kësaj, le ta shohim në sy. Kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të Organizatës. Presupozohej të kishim një vizion të përbashkët krijuar në Helsinki, vijuar në Paris, Stamboll dhe Astana për një Europë demokratike, të paqtë dhe të bashkuara. Ky vizion po largohet gjithnjë e më tepër prej nesh, sepse parimet tona nuk respektohen, sepse angazhimet tona nuk zbatohen, sepse divergjencat në pikëpamjet tona po rriten, sepse njëpalshmëria shpesh zgjidhet përmbi ndërkombëtaren, sepse përballja zgjidhet përmbi bashkëbisedimin, sepse përçarja zgjidhet përmbi bashkëpunimin.

 

Kryetari i Zyrës së OSBE vijon dhe më tej me kritikat kur e quan si dështim nivelin e bashkëpunimit.

 

Duke e lënë gjeopolitikën mënjanë, jam shumë herë më i shqetësuar nga kriza e përhershme e bashkëpunimit në nivel lokal, çka nënkupton që kemi dështuar të trajtojmë si duhet dobësitë tona e të përmirësojmë veten tonë apo të trajtojmë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballet shoqëria si terrorizmi, ndryshimi i klimës apo të mbështeturit të të drejtave të personave në nevojë. Edhe unë bëj thirrje, siç kanë bërë paraardhësit për bashkëpunim për të bërë diçka të tillë, por këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët.

 

Edi Rama ishte i qartë kur bëri apel që të lihen pas krahëve qëndrimet e kohës së “luftës së ftohtë”, duke e kërkuar nga të gjithë vendet anëtarët të tregojnë vullnet që e duan këtë organizatë.

“Më duhet ta them këtë, o e keni përzemër këtë organizatë, ose jo. Ose doni të parandaloni dhe të zgjidhni konflikte ose nuk doni. Ose doni të promovoni median e lirë ose nuk doni, ose doni të mbroni të drejtat e njeriut dhe demokracinë ose nuk doni. Është kaq e thjeshtë. Organizata jonë është po kaq e fortë sa angazhimet e saj dhe siguria jonë rajonale është po kaq e fortë sa vullneti për t’i zbatuar këto angazhime. Nëse ky vullnet mungon, siç duket që është sot, atëherë do të jemi në vështirësi për të dal nga krizat që na sjellin kriza e kriza, gjithmonë e përherë.”

 

Presidenca e Shqipërisë rastisi dhe me momentin e ndryshimit të të gjithë organeve drejtuese, ku pas diskutimeve të shumta, vendet anëtare arritën dakordësinë për të zgjedhur Sekretarin e ardhshëm të përgjithshëm e OSBE, që do të jetë diplomatja gjermane Helga Schmid, Matteo Mecacci do të drejtoi ODIHR, Teresa Ribeiro përfaqësues e Lirisë së Medias ndërsa Kairat Abdrakhmanov si Komisioneri për pakicat kombëtare do të jetë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *