Në seancën e sotme plenare, kryeministri Edi Rama bëri me dije kategoritë që do të përfitojnë nga statusi i fëmijëve në kujdesin e Republikës.

 

Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i qeverisë theksoi se duke filluar nga janari i vitit 2021, tashmë do të kemi dyfishim të mbështetjes së trajtimit financiar për këto kategori.

 

Po ashtu, ai bëri me dije se këto fëmijë do të marrin mbështetje dhe në trajtimet falas në shëndetësi.

 

“Nga muaji i ardhshëm, të gjithë nënat me 3 ose më shumë fëmijë do të përfitojnë dyfishin e ndihmës ekonomike, ashtu si vajzat dhe gratë e dhunuara apo të trafikuara. Po ashtu edhe jetimët që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Por këtyre u shtohet edhe një kategori tjetër, përmes nismës së re ligjore për statusin ‘Fëmijë në kujdesin e Republikës’ dhe që faktikisht materializon një qasje të vazhdueshme të kësaj shumice në raport me ata që ndjehen më të dobët se i përkasin kategorive vulnerabël. Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijë e ‘dëshmorëve të Atdheut’, të mjekëve apo infermierëve që humbën jetën në krye të pandemisë si rezultat i pandemisë, të personave që kanë humbur jetën për të mbrojtur pronës, të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e përmbushjes së detyrës në gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore. Shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorie prindërish, për t’i mundësuar sigurimin e jetës. Statusi përfitohet deri në 18 vjeç, por shtyhet deri në 25 vjeç kur ndjek arsimin e lartë. Mbrojtja bëhet në masën 100% kur personi që ka humbur jetën ka 1 fëmijë, në masën 70% kur ka 2 fëmijë, në masën 50% kur ka 3 fëmijë, në masën 40 kur ka 4 fëmijë”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *