Kryeministri Edi Rama bëri bilancin e shtatë viteve qeverisje të Partisë Socialiste. Duke folur në Asamblenë e PS, të mbledhur tek Amfiteatri i Liqenit Artificial, Edi Rama tha se kur u mor mandati i parë qeverisës, u përball me problemin e financave të vendit. Ai tha se ishte një sfidë për PS për të ringritur ekonominë pa ulur rrogat e pensionet.

 

“Do të mbajmë parasysh që teksa mbrojmë me të drejtën tonë legjitime ato që kemi bërë, në asnjë moment të mos ja themi vetes dhe të mos lëmë përshtypjen se jemi të kënaqur me sa kemi bërë. Kur kthen kokën pas është e vështirë të zgjedhësh çfarë të kujtosh më parë në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë. Mandati i parë ishte përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe një hemorragji të rrezikshme në raport me vetë financat e vendit. Kur ne jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit, kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve pa patur nevojë t’i ulim ato.”

 

Gjithashtu, Rama veçoi reformën në energji.

 

“Patëm bisedë të vështirë me FMN që insistonte se duhet t’i ulim dhe refuzonte idenë tonë se ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë. FMN më tha se këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm, por kemi mësuar se kjo reformë nuk bëhet. Sot, të gjithë atyre që ankohen me të drejtë, ju duhet kujtuar që shtatë vite më parë mbanin radhën në shi për të paguar fatura aforfe të energjisë elektrike, fatura arbitrare të energjisë elektrike që i paguanin për vete dhe për gjysmën e dynjasë që nuk denjonte të paguante. Sot s’ka më fatura aforfe dhe rradha në shi, arbitraritet apo gabim.”

 

Në bilancin e bërë për punët gjatë mandatit të dytë, Edi Rama theksoi se askush nuk e ka bërë që mes krizave të tërmetit dhe të pandemisë, të rriten rrogat.

 

“Në mandatin e dytë, pasi ndaluam me sukses hemorragjinë, pasi rivumë rregull në financat e vendit, forcuam organizimin e një trupi që lëngonte 7 vjet më parë edhe pse jemi përballur, përveçe me problemet e përditshme të trashëguara, edhe me probleme të krijuara që i ranë në kokë Shqipërisë dhe popullit shqiptar jashtë vullnetit të njerëzve, qoftë tërmeti, qoftë virusi. Kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë, arrijmë e të rrisim pagat dhe ndërkohë nuk më rezulton që dikush rreth e rrotull nesh e ka bërë këtë. Rrisim pagat për bluzat e bardha sepse e meritojnë dhe e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi ta vëmë në dispozicion të tyre dhe të arsimtarëve. As i prekëm rrogat e pensionet kur morëm detyrën, as i bëmë bisht zotimit tonë për të kaluar nga një sistem i padrejtë taksimi, në një sistem ku i ulëm taksat për 97% të shqiptarëve.”

 

Më tej, kreu i PS tregoi se është e nevojshme që qytetarët ta votëbesojnë edhe një herë tjetër. Edi Rama tha se vetëm Partia Socialiste mund t’i japë hov zhvillimi Shqipërisë.

 

“Nuk mendojmë që këto mjaftojnë për ta quajtur të mbyllur punën tonë. Këto janë arsye pse ne na duhet një mandat i tretë jo për vete, por për Shqipërinë që të kalojë nga ecja në vrapim. Të kalojë në një nivel të ri shpejtësie. Kush mund ta bëjë këtë përveç PS? Ne nuk jemi e keqja më e vogël, ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare. Nuk jemi më e mira e mundshme, kjo është arsyeja pse duhet të jemi të vetëdijshëm që potenciali i kësaj familjeje politike është për shumë më tepër besnikëri ndaj vlerave, ndaj atyre që meritojnë më shumë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *