Subscribe

Nga takimi me kryeministrin Edi Rama, peshkatarët morën si premtim rritjen e mbështetjes financiare. Për riparimin e flotës, ata do të ndihmohen nga shteti me një financim të drejtpërdrejte.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Për herë të parë do ketë një fond Ministria e Bujqësisë, që do financojë këdo që thotë “Unë kam nevojë të riparoj anijen, kjo kushton X. Atëherë Y do ta vejë shteti, do t’i japë jo kredi, por lekë në dorë,  jo borxh, por lekë në dorë mbështetje, ti do vësh pjesën tjetër.

 

Pas një viti, angazhimi është që të nis ndërtimi i markatës së Durrësit pas asaj të Shëngjinit dhe Vlorës, ku të gjithë peshkatarët të kenë mundësi të grumbullojnë dhe të tregtojnë produktin e tyre detar. Përmbushjen e këtij premtimi ia la Roland Kristos, të cili i kërkoi të zgjohet nga gjumi nëse do të jetë ende zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Duhet të bësh markatën dhe jo të dëgjoj më unë histori markata, markata tetë vjet. Kjo është detyra jote. Vitin e ardhshëm duhet të vish këtu me mua të hapim themelet e markatës. Në rregull? Një vit kohë ke.

 

Njëherësh me ndërtimin e markatës, kreu i qeverisë i kërkoi numrit dy të Ministrisë së Bujqësisë edhe ndërtimin e një shkolle profesionale e cila do të furnizojë me fuqi punëtore industrinë e peshkimit qe sot vuan mungesen e specialisteve dhe që janë të detyruar që një pjesë të konsiderueshme të ekipeve t’i marrin nga vende si Turqia dhe Egjipti.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Dy ditë në anije, tre ditë në klasë, për të krijuar gjithë gjeneratën e re të kapitenëve shqiptarë dhe të teknikëve shqiptarë se nuk mund të vazhdojë kjo histori që gjithë ajo struktura drejtuese teknike e flotës tonë të jetë turk e të jetë egjiptiane e të huaj. Pse? Aq më tepër që pagat e kapitenëve janë më të larta se pagat e ministrave. Për çfarë arsye duhet ta lëmë këtë? Kështu që edhe për shkollën, do të punojmë dhe edhe për shkollën, brenda vitit të ardhshëm duhet të hapim themelin.

 

Peshkatarëve u kërkoi që fondin prej 41 milionë euro që Bashkimi Evropian ka vendosur në mbështetje të këtij sektori ta shfrytëzojnë. Për këtë u sugjeroi që të ngrejnë në strukturë të tyren me ekspertë për të realizuar projekte me qëllim që të përfitojnë financimin për to.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *