Subscribe

Kryeministri Edi Rama ripërsërit ftesën me kreun e PD-së Lulzim Basha për t’u takuar, me qëllim gjetjen e një kompromisi për miratimin e reformës në drejtësi. Përmes një letre publikuar në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë shkruan se propozimi për një takim të dytë erdhi nga ambasadori amerikan Donald Lu.

“Ambasadori Lu bëri propozimin e çuditshëm që Ju dhe unë të mbyllemi përjetë në një dhomë(!), për të prodhuar zgjidhjen e shumëpritur nga populli shqiptar e nga miqtë e mëdhenj të këtij vendi dhe aq të domosdoshme për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një propozim i tillë e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të aleatit tonë strategjik, SHBA, në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi, teksa ora e të vërtetës po afron. Por po ashtu, ky propozim nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi në një vend aleat si Shqipëria; ku askush nuk do të donte të përballej nesër me regresin shqetësues që mosvotimi i reformës do të sillte në disa plane themelore”.

Rama kujtoi edhe deklaratën e Drejtorit për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme  gjermane Ernst  Reichel, i cili me një gjuhë tej asaj diplomatike, tha se PD po gjen çdo justifikim për të zvarritur dhe refuzuar reformën në drejtësi.

“Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia e Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor. S’ka hije dyshimi për mua, se ky angazhim i paprecedent i partnerëve tanë në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri, si një element që rrit qëndrueshmërinë demokratike të shtetit tonë në funksion të rritjes së sigurisë së vendit e të vetë rajonit ku jetojmë”.

Rama gjen rastin të përsërisë për të disatën herë propozimin e tij, sipas të cilit do pranonte çdo formulë të PD-së, mjafton që ajo të mbështetej nga SHBA dhe BE.

“Duke Ju uruar gëzuar ditëlindjen e vajzës Suaj, dua të nënvizoj këtu në fund, se jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi. Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj. Koha nuk pret, sfida është historike”.

E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili refuzon takimin me Ramën.

 “Zoti Rama,

Lëri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma ne drejtësi kërkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi ynë bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias te cilat PD dhe PS i kane pranuar si udhërrëfyesin e vetëm. Autorizo negociatoret e PS ti rikthehen negociatave per zgjidhje. Negociatoret e PD jane, siç e dini, te gatshëm qe sot”.

Takimi Rama-Basha u kërkua me ngulm nga ambasadori amerikan Donald Lu, i cili në një dalje të posaçme shprehu domosdoshmërinë e takimit të dy liderëve ditën e hënë, duke shtuar që ngujohen në të njëjtin ambient derisa të dalin me një zgjidhje.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *