Kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.
Të pranishëm në takim ishin disa prej kryetarëve të bashkive, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, ai i Financave Petrit Malaj si dhe sipërmarrës e fermerë.
Rama pati kritika për kryebashkiakët, për të cilët tha se nuk e shohin fshatin si pjesë të punës së tyre të përditshme dhe kërkoi që të bëhet një kthesë në këtë drejtim.
Rama: Qëkur se është bërë reforma administrative territoriale dhe bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend se kjo të sillte rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje në një masë të madhe, kryetarët e bashkive e shohin fshatin si çështje të urbanizmit, infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shohin, si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Jemi në një pikë, ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, sepse ende sot nuk kemi ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe bashkëpunimin e fermerëve të sipërmarrësve dhe strukturave të pushtetit vendor.
Janë bërë disa tentativa, por nuk mund të jemi se kemi krijuar një model. Kemi vendosur në dispozicion të fermerëve dhe fshatit një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 mln euro që është një shumë kolosale për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’iu dhënë mbështetje projekteve në fshat, kjo e kombinuar me garancinë sovrane që është prej kohësh në dispozicion të fshatit, nuk ka sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës në rast se nuk ndryshojmë qasjen./vizionplus.tv





